Nga Gjergj Erebara dhe Blerina Gjoka-BIRN
Një plan i qeverisë shqiptare për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si një fondacion, parashikon rritje të çmimit të biletës për vizitorët si dhe krijimin e të ardhurave nga shërbimi i kateringut, me synimin final të punësimit të 44 personave me paga më të larta se sa standardet e zakonshme të administratës publike si dhe krijimin e një bordi që do të kushtojë rreth 140 mijë USD në vit, nën supozimin se një menaxhim i tillë do të përmirësojë eksperiencën e vizitorëve në të.
Plani i biznesit u mbajt fillimisht ‘sekret’ nga qeveria, për arsye se, sipas asaj që deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të dhënat financiare “mund të keqinterpretohen”.
Pasi media dhe opozita ngriti pikëpyetje se pse çështja e menaxhimi të trashëgimisë kulturore të vendit duhet të bëhet me kontrata sekrete, Kuvendi publikoi të mërkurën në mbrëmje një version të plotë të draft-marrëveshjes në faqen e internetit.
Kryeministri Edi Rama u shpreh i revoltuar të enjten në parlament ndaj kritikëve, duke sharë opozitën si antiamerikane si dhe duke e fyer atë si rracë budallenjsh.
“Budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse se nuk ka se si të shpjegohet ndryshe që trashëgohet brez pas brezi,” deklaroi Rama me një gjuhë të pazakontë të enjten gjatë seancës parlamentare. “E keni në ADN-në e partisë suaj që të trashëgoni budallallëkun brez pas brezi,” vijoi ai, në një fjalim, të cilin zyra e tij e shtypit e shpërndau të transkriptuar për median.
Kontrata midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit parashikon zhvillimin e parkut kombëtar për shërbime turistike, duke investuar në restorante dhe një shërbim vozitje me varka, si dhe sigurimin e të ardhurave nga shitja e biletave, e ushqimeve dhe pijeve.
Plani i biznesit është përgatitur nga një kompani angleze në vitin 2019, kompani që është kontraktuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan. Ky i fundit është një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaëare të Shteteve të Bashkuara dhe që ka aktivitete të ndryshme ekonomike në Shqipëri, përfshirë një paketë minorance në koncesionin shumë fitimprurës të prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, koncesion që është në gjendje të paguajë për aksionerët e vet dividentë çdo vit me vlerë disafish mbi kapitalin e investuar.
Plani i biznesit për menaxhimin e Butrinit nuk parashikon të jetë kaq fitimprurës, por gjithsesi ai parashikon që fondacioni të realizojë kthime me mbi 15% në vit mbi vlerën e investimit, me synimin final që kur të jetë plotësisht operacional, të realizohet një fitim prej 1.5 milionë USD në vit. Gjithsesi Fondacioni Shqiptaro-Amerikan nuk do të përfitojë të ardhura nga aktiviteti i Butrintit, pasi fitimet do t’i mbesin fondacionit të Butrintit.
“Nevojitet një investim kapital total prej 7.52 milionë USD, nga të cilat 39% do të shpenzohen për
konservimin e sitit dhe 61% për ndërtimin e strukturave të reja për vizitorët dhe stafin,” thuhet në planin e biznesit të parë nga BIRN.
“Projekti në tërësi gjeneron suficit operativ vjetor në Vitin 3 dhe suficit të akumuluar në Vitin 7 ku ai operon me fitim prej afërsisht 1.5 milionë USD në vitin pasardhës,” shkruhet më tej në planin e biznesit.
Plani parashikon investime prej 7.1 milionë USD, nga të cilat, 4.99 milionë USD do t’i investojë Fondi ndërsa 2.1 milionë do t’i investojë qeveria me paratë e taksapaguesve. Plani i biznesit parashikon shtimin e të punësuarve në parkun arkeologjik nga 14 që janë aktualisht në 44.
Rritje çmimi biletash
Butrinti është sakaq një operacion praktikisht shumë fitimprurës për qeverinë shqiptare. Sipas të dhënave të planit të biznesit, Butrinti është vizituar nga rreth 236 mijë vetë në vit para pandemisë, të cilët kanë paguar bileta me vlerë rreth 900 mijë dollarë. Butrinti ka aktualisht një staf prej 14 vetësh me fond vjetor pagash prej 88 mijë USD në vit, ndërsa pjesa tjetër e parave janë në Ministrinë e Kulturës, shuma e akumuluar prej tyre do të duhet t’i transferohet fondacionit të ri.
Plani i ri i qeverisë është që, pas transferimit të menaxhimit te fondacioni, çmimi i biletës të mund të rritet nga 6 në 11 USD përgjatë një periudhe shtatëvjeçare, gjë që do të sjellë shumicën dërrmuese të të ardhurave shtesë si dhe fitimet me vlerë 1.5 milionë USD në fund të vitit të shtatë. Edhe investimet e planifikuara do të paguhen pjesërisht nga të ardhurat operacionale. Plani i biznesit parashikon që numri i vizitorëve të rritet deri në 296 mijë vetë, ndërsa supozon se Butrintit do t’i duhen edhe pesë vite nga sot që të arrijë numrin e vizitorëve të para pandemisë.
Plani i biznesit parashikon gjithashtu se shërbimi i pijeve dhe ushqimeve, të cilave ai u refereohet si “shërbimi i kateringut”, të sigurojë të ardhura vjetore prej 296 mijë USD.
Në total, nga viti i shtatë i operimit, falë rritjes së çmimit të biletave dhe rritjes së pritshme të vizitorëve, fondacioni do të sigurojë të ardhura me vlerë 3.7 milionë USD në vit, nga të cilat, 1.5 milionë do të jenë fitime neto.
Plani i biznesit bën të qartë se transformimi i menaxhimit të Butrintit nga sistemi aktual në një fondacion, do të mundësojë çlirimin nga kufizimet ligjore si dhe rritjen e pagave.
Plani i biznesit thekson se rreziku që ndërmarrin investitorët në kryerjen e këtij investimi është i ulët për shkak se vizitorët do të kthehen gjithsesi në Butrint pas pandemisë dhe për rrjedhojë, do të vijojnë të paguajnë biletat e hyrjeve.
Kontrata e menaxhimit do të zgjasë për 10 vjet me të drejtë rinovimi. Në rast se ajo nuk rinovohet, fondacionit do t’i mbesin në fund të vitit të dhjetë rreth 4.5 milionë dollarë fitime neto. Këto fitime, sipas marrëveshjes, nuk do të shpërndahen, por do të mbahen nga fondacioni.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që bordi i drejtorëve të fondacionit, një institucion me pesë vetë, nuk do të marrë paga, por atyre do t’u mbulohen shpenzimet për vete dhe një staf ndihmës prej pesë vetësh me një kosto të përgjithshme prej 140 mijë dollarësh në vit.
Aktualisht bordi i fondacionit drejtohet nga ministrja e Kuturës Elva Margariti si kryetare, drejtuesit e Fondi Shqiptaro-Amerikan, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, juristja Flonja Boriçi, si dhe Presidenti i Universitetit Amerikan të Romës Richard Andrew Hodges. Drejtues ekzekutiv i fondacionit është emëruar arkeologu Lorenc Bejko.