Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur sot në Burgun e Peqinit, ku një i dënuar ka qëlluar me armë zjarri duke vrarë një të burgosur dhe ka plagosur një tjetër.
Autori është Sokol Mjacaj. Ky i fundit, në rrethana ende të paqarta, ka arritur të sigurojë një armë brenda ambienteve të burgut të sigurisë së lartë dhe në një moment ka hapur zjarr ndaj Arben Lleshit.
Sipas burimeve, krimi ka ndodhur brenda qelive. Mjacaj i ka shkuar te qelia Leshit dhe pasi e ka thirrur në emër, ai ka dalë te dera. Në atë moment ai e ka qëlluar me 3 plumba. Ndërkohë aty pranë ka qenë i burgosuri tjetër Shaqaj, i cili është plagosur gabimisht.
Pas ngjarjes në burgun e Peqinit kanë mbërritur forcat RENEA të cilat pas një orë negociatash kanë arritur të neutralizojnë Sokol Mjacajn dhe më pas ta çojnë atë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit ku po merret në pyetje për të dëshmuar se çfarë e shty të kryejë krimin e rëndë.
Për mbi 1 orë, të dënuarit e tjerë, por edhe stafi kanë parë tmerr me sy, kjo për faktin se Sokol Mjacaj ka mbajtur peng stafin e kuzhinës.
Gardianët që ndodheshin aty, të pafuqishëm për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, kanë njoftuar menjëherë forcat RENEA, të cilat pas disa minutash negociata arritën të neutralizojnë Mjacajn.
Dyshimet janë se krimi ka ndodhur me porosi nga jashtë. Prokuroria dhe policia dyshojnë se dikush ka paguar Mjacjan që të ekzekutojë Lleshajn, një person ky me të shkuar kriminale.
Ajo që shton dyshimet është se krimi duket se ka ndodhur pak para se Mjacaj të izolohej. Ndaj tij u mor një urdhër që të futej në regjimin “41 bis” dhe sapo ministri i Drejtësisë njoftoi izolimin e tij, Mjacaj është vënë në lëvizje për të realizuar porosinë.
Viktima gjithashtu rezulton i dënuar nga drejtësia angleze me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Angli.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 10 prill të vitit 2012 kur Lleshi atëherë 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton.
Ndërkohë, Afrim Lleshi 39 vjeç i cili atëherë u akuzua si bashkëpunëtor në këtë krim makabër, është shpallur nga Gjykata i pafajshëm në lidhje me këto akuza. Lleshi u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2016, ku u transferua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.