Ish-ministri i brendshëm, Bledi Çuçi, është thirrur nga Prokuroria e Beratit, për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni, lidhur me vjedhjen e 54 tonë metaleve në Kombinatin e Poliçanit.
Çuçi thirret në cilësinë e drejtuesit politik në Berat, pasi nga hetimet ka rezultuar se ka patur komunikime me drejtorin e Kombinatit Mekanik te Poliçanit, Erion Zylyftari, që është njëherazi kreu i Partisë Socialiste në Poliçan.
Referuar fletëthirrjes që mban firmën e prokurorit, Eni Çulli, ish ministri duhet të paraqitet me datë 15 korrik ora 12:00.
Fletëthirrja i është dërguar për zbatim komisariatit nr.3 në Tiranë, për shkak se ish ministri ka vendbanimin në kryeqytetit në juridiksionin e këtij komisariati.
Prokuroria thekson në fletëthirrje që nëse Çuçi nuk paraqitet pa patur pengesa të ligjshme do të urdhërohet shoqërimi i tij i detyrueshëm.