Byroja Kombëtare e Hetimit është rikthyer në zyrat e bizneseve të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kontrollet janë bërë me kërkesë të SPAK, që është miratuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prona ku janë ushtruar kontrollet është pranë zyrave të “Harabel”, e regjistruar si apartament.
Kontrollet kanë nisur mesditën e djeshme (14 janar), dhe kanë përfunduar rreth orës 18:00 të mbrëmjes.
Mbetet e pakonfirmuar çfarë është arritur konkretisht të gjendet por mësohet jo zyrtarisht se janë sekuestruar disa kontrata me vlerë për hetimin.
Të njëjtat burime treguan se pak pas mbërritjes së agjentëve të BKH, kanë mbërritur edhe shërbimet policore me uniformë, teksa nuk dihet për çfarë është kërkuar asistimi i tyre.
Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër dhe e ëma Shqiponja po hetohen nga SPAK për 4 vepra penale. Konkretisht hetimet po kryhen për korrupsionin aktiv dhe atë pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie.