Tërmeti me magnitudë 7.8 shembi një numër të madh ndërtesash, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.
Ky është tërmeti më i fuqishëm që godet Turqinë në këtë shekull. Dridhjet janë ndjerë edhe në Egjipt, Qipro dhe Liban.
Epiqendra e tërmetit ishte afër Gazientepit, qytetit industrial pranë kufirit Turqi-Siri. Në qytetin Mersin një banor i tha Zërit të Amerikës se lëkundjet zgjatën rreth një minutë.
“U zgjuam nga dridhjet. Pjesë të rrënojave po binin nga oxhaku dhe hapësirat boshe të ndërtesës. Ishte shumë e frikshme”, tha ai.
Autoritetet turke njoftojnë se deri tani kanë regjistruar mbi 2 mijë 300 vdekje, rreth 7 mijë e 630 të plagosur dhe se të paktën 2 mijë e 800 ndërtesa janë shembur.
“Nuk mund ta parashikojmë rritjen e numrit të viktimave dhe të plagosurve ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Shpresojmë të rikuperohemi nga kjo tragjedi me sa më pak jetë të humbura”, tha presidenti turk.
Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se pret që numri i viktimave të jetë shumë më i madh. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se tërmeti u pasua me mbi 20 pasgoditje. Të paktën një nga to ishte me magnitude 7.5.
Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.
Zyrtarët sirianë të shëndetësisë thanë se të paktën 239 njerëz u vranë në zonat e kontrolluara nga qeveria, ndërsa ekipet e shpëtimit thanë se të paktën 100 të tjerë vdiqën në zonat e kontrolluara nga rebelët.
Organizata “Shoqëria Mjekësore Siriano-Amerikane” tha se spitalet janë të mbingarkuara me pacientët që kanë mbushur korridoret.
Mbështetje ndërkombëtare
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë “të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit”.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, “tha zoti Sullivan në një deklaratë.
Bashkimi Evropian tha se po dërgonte ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania “tashmë në rrugë e sipër”.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre ishin të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.
“Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, shkroi në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma mjekësore, do të dërgohen në Turqi në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ofroi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij, “Jam i tronditur me vdekjet dhe plagosjet e qindra njerëzve si pasojë e tërmetit në Turqi”, shkroi presidenti Zelenskyy. “U shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Në këtë kohë, ne qëndrojmë pranë popullit mik turk dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”.
Shqipëria dhe Kosova – të gatshme të ndihmojnë Turqinë
Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë thanë se janë të gatshme të mbështesin Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u shpreh “thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata!”, shkroi presidenti Begaj.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke shprehur ngushëllimet për humbjen jetëve tha se “një mision shpëtimi do të niset sot për në Turqi”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Kryeministri Albin Kurti, tha po ashtu se Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë kohë të vështirë.
Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.
Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.
Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.