Gjuha e palakuar dhe me fjalor banal, por jo vetëm, duke i shtuar skena deri erotike dhe dhune në oraret më të frekuentuara nga shikuesit, përfshi fëmijët, po kthehet në shqetësim real në ekranet shqiptare.

Deri tani nuk ka pasur asnjë lloj kufizimi apo mekanizmi strikt funksional, teksa situatat në shumë raste dalin nga kontrolli dhe karaktere kontroverse sjellin në televizione skena që shpesh u duken inovatore apo dhe introverte për shikueshmëri, promocion dhe deri like apo followers në rrjetet sociale, për t’u bërë sa më shumë viralë.

Situata më e fundit erdhi nga Big Brother Vip Kosova me skena dhune dhe fjalor të papërshtatshëm, aq sa sot mediat njoftuan marrjen e masave.

Pothuajse të njëjtin standard dhe nivel mbajnë edhe programet shqiptare, teksa shikuesit jo pak herë kanë vënë në “shënjestër” programe si “Big Brother VIP” dhe “Përputhen”.

Kështu që autoritetet në Kosovë kanë vendosur që Big Brother të kufizohet për audiencën e pambrojtur nga dhuna, fjalori banal apo skenat e turpshme.

Emisionet e zhanrit “Reality Show” janë përhapur shumë në vitet e fundit, kjo edhe për shkak të fitimeve që u sjellin kompanive mediatike që i transmetojnë.

Këto emisionie kanë ndikim të madh në formësimin e opinionit publik, e sidomos të fëmijët dhe adoleshentët, të cilët krijojnë idhujt frymëzimi për karakterit të tyre.

Shpesh personazhet mediocre promovohen si shembuj të shoqërisë, dhe për këtë fakt emisioni duket se nuk do të transmetohen më kaq lirshëm në Kosovë.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka vendosur konsiderimin e tyre si përmbajtje për të rritur.

Tashmë ato janë klasifikuar programe të papërshtatshme për fëmijët, pasi dëmtojnë shëndetin e tyre mendor dhe moral.

Për këtë, kryetari i bordit të medias Jeton Mehmeti u shpreh se “Big Brother VIP Kosova” do të jetë program me kod njëlloj si filmat për të rritur.

Ai shtoi se nisma të tilla minimizojnë efektin negativ te fëmijët.

Nuk dihet nëse Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri do të marrë të njëjtat masa për mbrojtjen e të rinjve në Shqipëri, në një kohë kur emisione të tilla antivlerë janë përhapur shumë në mediat shqiptare.