Ish-kryetari i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili u lirua nga qelia në fillim të muajit shtator do të takohet në Tiranë me kryeministrin Edi Rama më datë 29 tetor, kështu raportojnë mediat greke.

Në artikullin e gazetës “To Vima” takimi Rama-Beleri cilësohet si “takimi i vitit”. “Beleri do të takohet me njeriun që e mbajti në burg për 481 ditë”, shkruan ndër të tjera media greke.

“Kryeministri Edi Rama do të presë në Tiranë Fredi Belerin, i cili është përfshirë në delegacionin e Parlamentit Europian për Komisionin Parlamentar të BE-së për Stabilizim-Asociiimin me Shqipërinë”, citohet në median greke.

Delegacioni i BE, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore.

Ky komision do të informohet gjithashtu nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, në lidhje me zhvillimet për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Takimi me Kryeministrin Edi Rama i komisionit, ku do të jetë dhe Beleri parashikohet që të zgjasë rreth 45 minuta.

Pjesa e axhendës së takimeve janë edhe përfaqësues të partive të tjera si dhe nje takim me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.

Beleri në një intervistë për televizionin grek SKAI ditën e sotme, komentoi hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë për negociatat me BE-në duke thënë se “vendi i Shqipërisë është në BE”

Fredi Beleri u shpreh gjithashtu se në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u fol me terma të qarta edhe sa i takon mbrojtjes së minoritetit grek që është politikë e BE-së”.

Kujtojmë se Beleri u lirua pasi gjykata në Fier, ku ai po vuante dënimin me dy vjet burgim për blerje votash, pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm. Beleri, 51 vjeç, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 në Himarë.