Mediat italiane kanë publikuar lajmin se sipërmarrësi italian, Francesco Becchetti, pronar i televizionit Agon Channel, do të apelojë në Gjykatën Europiane marrëveshjen mbi emigrantët mes Italisë e Shqipërisë.
Sipërmarrësi italian, i cili ka fituar një gjyq ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare, me një dëmshpërblim prej 135 milionë euro, ka informuar qeverinë italiane mbi sekuestrimin e së njëjtës vlerë për shumat që Italia synon t’i paguajë Shqipërisë me marrëveshjen për emigrantët.
Sipërmarrësi Becchetti ka informuar se do të paraqesë një apel në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian, duke deklaruar se norma “është një akt shumë i rëndë arbitrariteti, ndaj personit dhe i paligjshëm”. Becchetti kërkon sekuestrimin e të gjitha shumës “deri në 135 milionë euro”, të cilat qeveria italiane ka marrë përsipër t’i paguajë Shqipërisë në bazë të protokollit të 6 nëntorit 2023.
“Nëpërmjet avokatëve të tij, në nëntor të vitit 2023, sipërmarrësi italian ka informuar presidencën e Këshillit të Ministrave dhe të gjitha ministritë e qeverisë italiane me një fletë-sekuestro, në mënyrë që të sekuestrohen të gjitha shumat që qeveria italiane ka marrë përsipër t’i paguajë qeverisë shqiptare në bazë të protokollit të datës 6 nëntor 2023”, shkruan Il fatto quotidiano.
Biznesmeni italian Francesco Becchettin, është dënuar me 16 vite burg për krijimin një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash, përmes kompanive të tij.
Po ashtu edhe nëna e tij Liliana Condomitti është dënuar me 8 vite burg, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Francesco Becchetti u dënua pasi përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.
Sipas gjykatës penale në vendimin e dhënë në krye të një skeme fiktive të lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaç, gjyqesh, faturash e qarkullimi aksionesh mes kompanive qëndron Becchetti.
Pra dënimi i gjykatës ka vërtetuar se investigimi dhe hetimi i prokurorisë ndaj Becchettit dhe firmës së tij (duke përfshirë televizionin Agon Channel) ishte bazuar mbi shkelje konkrete dhe jo mbi persekutim politik si ka konkluduar arbitrazhi.