Me urdhër të ministrit të Brendshëm Taulant Balla, Martin Nikolla, i cili u përfshi sot në një sherr me familjen Kaçi në Durrës, ndaj të cilëve qëlloi dhe me armë në ajër, është përjashtuar nga radhët e Gardës së Republikës.
Nikolla ishte shoqërues i kryetares së parlamentit Lindita Nikolla, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ai ka qëlluar në drejtim të komshinjve, me të cilët ishte në konflikt prej vitesh, me armën e shërbimit.
Ministria e Brendshme deklaron po ashtu se gardisti i shkarkuar është ndaluar tashmë nga Policia.
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme:
Garda e Republikës është informuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës mbi përfshirjen e një efektivi të Gardës në një incident të dhunshëm, në Hamallaj, ku dyshohet se inspektori M.N., ka përdorur edhe armën e shërbimit.
Me urdhër të Ministrit të Brendshëm është bërë përjashtimi i menjëhershëm i këtij punonjësi, nga radhët e Gardës së Republikës.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka bërë ndalimin e tij.
Martin Nikolla së bashku me vëllezërit e tij dhunuan Pjetër Kaçin, 80 vjeç dhe 3 djemtë e tij, për shkak të një konflikti prone që vijon prej disa vitesh mes dy familjeve.