Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq. Balla ka përgëzuar forcat e policisë duke theksuar se kanë kryer detyrën me përgjegjësi të plotë.

Ndër të tjera, ministri siguron publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për policinë dhe se, çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.

“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit.

Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.”- u shpreh ministri Balla.