Babai i vogëlushit të ndjerë Martin Cani, i cili mbeti i vrarë nga goditjet me thikë në zemër prej bashkëmoshatarit Mario Përlleshi, ka qenë i pranishëm në protestën që u organizua ditën e sotme nga qytetarët para Ministrisë së Arsimit.
Kamerat e kanë fiksuar Angel Canin, në protestë i rrethuar nga familjarë të tij, ndërsa edhe qytetarë të ndryshëm shihen teksa e ngushëllojnë dhe japin forcë duke i shprehur mbështetjen pas tragjedisë me djalin e tij, vetëm 14-vjeçar.
Ndërkohë, në protestë ndodhej edhe gjyshi i moshuar i Martinit, i cili i është drejtuar të pranishmëve me një fjalë të shkurtër, ku ka kërkuar që të vendoset drejtësia në vend.
“Dashamirës që keni ardhur për hir të një martiri që ra pabesisht, unë jam gjyshi i Martinit. Për ne ka qenë një humbje shumë e madhe, që me zor po e përballojmë. Unë kërkoj me këmbëngulje, që të vendoset në këtë shtet drejtësia. Do të triumfojë drejtësia, sepse mos kujtoni ju që unë anoj nga asnjë parti, vetëm dua drejtësi dhe drejtësinë do e mbështesë i gjithë populli”, u shpreh ai.