Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një punonjës policie, pasi gjatë drejtimit të automjetit të tij në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident rrugor në aksin Torovicë-Balldre të Lezhës.
Sipas AMP-së, inspektori i policisë me iniciale V.K., 48 vjeç, i cili punonte pranë Komisariatit nr.5 në Tiranë është vënë në pranga, ndërsa ndaj tij rëndon vepra penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur”.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka arrestuar Inspektorin V.K., 48 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, në D.V.P Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur”.
Ai u përfshi në një aksident në aksin rrugor Torrovicë – Balldre me mjetin e tij, jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në njoftimin e AMP-së.