Një 22-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se merrte fotografi dhe video të qytetarëve të ndryshëm të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese, dhe për fshirjen e tyre kërkonte para.
22-vjeçari i identifikuar me inicialet E.Xh., në këmbim të fshirjes së profileve në rrjetet sociale që përmbanin foto dhe video të cilat u përkisnin personave të ndryshëm, kërkonte shuma parash, që shkonin deri në 1000 €.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “R-13”. Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi E. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas merrte fotografi dhe video të personave të ndryshëm në rrjete sociale, të cilat i publikonte në profile false, me shprehje fyese dhe denigruese. Për fshirjen e këtyre postimeve, 22-vjeçari, kërkonte në këmbim shuma parash, që shkonin deri në 1000 €”,-njofton policia.