Një 59-vjeçar së bashku me djalin e tij janë arrestuar në Levan pasi akuzohen se vodhën 5 bagëti.
Policia bën me dije se janë sekuestruar 5 bagëtitë, furgoni me të cilin u transportuan bagëtitë, nga banesa ku u vodhën te banesa e të arrestuarve, ku u gjetën, si dhe 6 targa automjetesh.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se i kishin vjedhur 5 krerë bagëti të trasha (lopë), Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier dhe me Komisariatin e Policisë Krujë, kanë zbardhur vjedhjen, si dhe kanë identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar të saj, shtetasit F. K., 59 vjeç dhe J. K., 30 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Dukagjin i Ri.
Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim, si bashkëpunëtor për vjedhjen, djali tjetër i shtetasit F. K., shtetasi E. K., 19 vjeç.
Punohet për kapjen e 19-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas”, njofton policia.