Tre persona janë arrestuar nga policia në kuadër të një operacioni antidrogë.
Policia thotë se personat e arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës po tentonin të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, me anë të një automjeti “Audi Q7”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 51 kilogramë kanabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 6 celularë dhe 5 automjete.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako” thuhet ne njoftimin e policise.
Njoftimi i Policise:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore 1-vjeçare të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Again”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ky shtetas drejtonte. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit J. S., u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.
Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë E. M., dhe S. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.