Dy vëllezër janë vënë në pranga pasi akuzohen se kanë vjedhur 55 mijë euro në një kasafortë dhe aksesorë floriri.

Blutë njoftojnë se dy të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë në Fushë-Krujë, shumën 55 000 euro, dhe aksesorë të ndryshëm floriri.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetim e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me me Seksionin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale në DVP Tiranë dhe DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Survejimi”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit S. D., 30 vjeç, dhe S. D., 21 vjeç, (vëllezër), banues në Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Dy vëllezërit dyshohet se me datë 21.07.2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë në Fushë-Krujë, shumën 55 000 euro, dhe aksesorë të ndryshëm floriri.