Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Së Lirisë, Tedi Blushi, tha në një konferencë për mediat se kanë arritur të identifikojnë dy nga efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët ditën e djeshme tërhoqën me forcë nga makina ish-presidentin, Ilir Meta dhe ekzekutuan vendimin për arrestimin e tij.
Sipas tij këta persona kanë lidhje me bandat e Durrësit.
“Jemi ende duke bërë verifikime. Ishte një efektiv i moshës 27 vjeç, pa eksperiencë në strukturat e policisë i cili jo vetëm ka guxuar ti afrohet makinës, por edhe ka shërbyer aty si roje trafiku.
Sa i takon horrave që nxorën forcërisht presidentin e Partisë së Lirisë nga automjeti pa u identifikuar se të cilës strukturë ishin, ata ishin terroristë dhe asgjë më shumë.
Ne kemi evidentuar nga ata dy persona me precedentë penalë, të cilët është e paqartë se si janë bërë pjesë e policisë së shtetit, por kanë të shkuar të errët dhe lidhje me bandat e Durrësit.”- është shprehur Blushi.