Ditën e sotme, policia e Elbasanit, ka vënë në pranga një 55-vjeçar, pasi është kapur me armë zjarri dhe metadon, ndërsa nipi i tij, 26-vjeç, po procedohet penalisht se shpërndante doza kanabisi në formë çokollate.

Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar pistoletën, metadonin dhe kanabisin.

Njoftimi i Policisë:

Vihet në pranga 55-vjeçari që dyshohet se posedonte armën e zjarrit dhe metadonin, procedohet penalisht 26-vjeçari (nipi i tij) që dyshohet se shpërndante doza lëndësh narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe një rast të shitjes së lëndëve narkotike.

Në vijim të veprimeve për këto raste u vu në pranga shtetasi 55 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin  26 vjeç (nipi i 55-vjeçarit), banues në të njëjtën banesë, në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi metadoni, të cilat dyshohet se i posedonte 55-vjeçari. Gjithashtu, 26-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis në formë çokollate.