Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-sekretaren e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, nën akuzë për korrupsion me tenderin për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.
Sipas SPAK, Joana Duro, mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë ‘DRICONS’ për të fituar tenderin. Duro ndodhet në burg që prej 5 qershorit 2023, ndërsa GJKKO nuk ka pranuar që t’i lehtësojë masën. Ajo akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë”.
NJOFTIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 10.05.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 22 akti, datë 18.03.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit J.D., V.T., kundër vendimit nr. 75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
• “Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
• Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për 5 (pesë) vjet.
• Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
• Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.
• Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T. do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
• Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
• Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr.75, datë 13.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
• Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
• Në aplikim të nenit 35 pika 1 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D. për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
• Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
• Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T. me 8 (tetë) muaj burgim.
• Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi dytë, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
• Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh. me 8 (tetë) muaj burgim.
2. Lënien në fuqi të vendimit për pjesët e tjera të tij.
3. Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen të pandehurve apelues solidarisht.