Dy punonjës policie janë vënë në pranga nga Agjentët e Mbikëqyrjes Policore.

Të arrestuarit akuzohen për grabitje dhe për aksident.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor L. T., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mirditë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt’.

Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit në ‘Rrugën e Kombit’ është përplasur me një automjet tjetër duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv.

Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Gjirokastrës, i dyshuar për veprat penale ‘Vjedhja’, ‘Dhuna në familje’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.

Ish-bashkëshortja ka denoncuar punonjësin e policisë për shkelje të urdhërit të mbrojtjes, duke i vajtur në banesë dhe gjithashtu i ka marrë një valixhe ku ndodheshin një sasi prej 5 milionë lekësh.

Pas marrjes së kallëzimit, u kryen veprimet hetimore dhe nga kontrolli në banesën e shtetasit SH. A. (kunati i punonjësit të policisë J. R.) u gjend valixhja dhe një portofol me shumën prej 8 000 Euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vazhdim të veprimeve nga kontrolli i banesës së tij në qytetin e Gjirokastrës, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 287 fishekësh pistolete të tipit TT, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 1 palë pranga.