Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, Alastair King-Smith është shprehur i zhgënjyer nga raportimet e mediave britanike për Shqipërinë, që i cilësojnë emigrantët e paligjshëm shqiptarë si kriminelë.
Gjatë konferencës që u mbajt në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë, Diplomati King-Smith u shpreh i keqardhur për etiketimet që i kanë bërë vendit tonë, duke theksuar se e vlerëson shumë Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar.
“Jam gjithmonë i gatshëm për të pasur sa më shumë takime të tilla, shkëmbime idesh përsa i përket dy vendeve tona. Më duhet të them se jam i zhgënjyer nga raportimet e mediave angleze lidhur me Shqipërinë. Dhe unë dua të tregoj se sa e vlerësoj komunitetin shqiptar në Britani.
Por njëkohësisht unë jam këtu dhe shikoj se sa vend i bukur dhe mikpritës është Shqipëria, dhe po inkurajoj mediat që të shikojnë këtë pjesë, që edhe britanikët të vijnë dhe ta vizitojnë. Shpresoj që të kemi sa më shumë raportime pozitive dhe që britanikët të vijnë këtu”, është shprehur ambasadori, Alaistair King-Smith.