Reperi i njohur, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik Stresi, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për anëtar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai e cilësoi këtë vendim si një angazhim për të përfaqësuar të rinjtë dhe për të sjellë më shumë zë për brezin e ri në politikë. Sipas Stresit, kandidimi i tij nuk lidhet vetëm me politikën, por edhe me përgjegjësinë dhe nevojën që rinia shqiptare të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Postimi i Stresit:
Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar.
Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.
Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne.
Nesër Në Orën 11:00 Tek Pallati Kongreseve.




