Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, do të duhet të rikthehet sërish në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës për të vuajtur edhe 6 muaj burg.
Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO-së, i cili prishi vendimin e shkallës së parë.
Koka ishte dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre, por dënimi iu zbrit në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë për Kokën, pasi dënimi u konsiderua i shlyer me periudhën e paraburgimit.
Por Apeli e zhbëri pjesën e vendimit për shuarjen e masës së sigurisë dhe Koka duhet të rikthehet sërish në burg.
Gjithashtu, Jetmir Llapaj ish-punonjës në QKB u dënua nga Apeli i Posaçme me 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 muaj burg. Llapaj ishte shpallur i pafajshëm nga GJKKO-ja.
Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për Inceneratorin e Tiranës duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK. Lefter Koka u dënua me 3 vite burg nga 4 që kërkoi Prokuroria e Posaçme.
Nga gjykimi i shkurtuar dënimi i zbriti në 2 vite, kohë që do të konsiderohet e shlyer me qëndrimin në paraburgim.




