Një hetim nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, ka bërë të mundur që Forca e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” të arrestojnë dy persona, banues në Berat.
Nga hetimet, ka rezultuar se të arrestuarit K. N., 21 vjeç dhe Nj. A., 19 vjeç ishin të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndës narkotike kanabis, në doza, në Berat.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 21-vjeçarit iu gjetën 330 doza kanabisi. Më tej, 19-vjeçarit iu gjet me vete një sasi e kësaj lënde ndërsa në banesë, 2 mjete prerëse (thika).
330 doza kanabisi, një sasi e kësaj lënde, mjetet dhe municioni u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me 7 celularë dhe 1 automjet.
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 21-vjeçarit, shtetasin A. N., 44 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën e tyre u gjetën disa fishekë që posedoheshin pa leje.





