Në mitingun e djeshëm Kumbaro foli si ”Nafija” e Gjirokastrës

Jugulajm.net
2 Min Read

Nga Telnis Skuqi

Deklarata e djeshme nga Mirela Kumbaro në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste nuk ishte një fjalim për qytetarin.

E mbushur me patetizëm të panevojshëm, figura poetike të sforcuara dhe një triumfalizëm të pambështetur në asnjë fakt konkret, kjo deklaratë tingëlloi më shumë si një monolog për militantët sesa si një mesazh për banorët e qarkut të Gjirokastrës.

Kur përfaqësuesja politike e një zone të tërë zgjedhore zgjedh të flasë me fraza si “blindojmë mandatin”, “ngjyrosim yjet” apo “jemi pika e floririt”, ajo nuk po u drejtohet më votuesve, por një pasqyre ku kërkon të admirojë veten dhe partinë që përfaqëson.

Në një kohë kur Gjirokastra dhe zonat përreth përballen me shpopullim, mungesë shërbimesh bazë dhe mungesë investimesh të qëndrueshme, një fjalim që nuk përmend asnjë nga këto sfida është jo vetëm i shkëputur nga realiteti, por edhe fyes për inteligjencën e qytetarit të zakonshëm.

Fushatat elektorale janë momente kur politika duhet të ulet me njerëzit, t’u flasë për atë që ka bërë dhe atë që synon të bëjë. Duhet të japë llogari, të pranojë dështimet dhe të ofrojë zgjidhje. Fatkeqësisht, asnjë prej këtyre nuk ishte i pranishëm në deklaratën e Kumbaros. Aty mungoi gjithçka që lidhet me jetën reale të qytetarëve të Dropullit, Libohovës, Tepelenës dhe Përmetit. Munguan konkretësia, ndershmëria dhe ndjeshmëria. Mbeti vetëm retorika.

Kjo është më shumë se zhgënjyese. Është një tregues i qartë i mungesës së përmbajtjes dhe i shkëputjes totale nga realiteti në terren.

Për mua, si qytetar dhe si votues në qarkun e Gjirokastrës, kjo deklaratë ishte tronditëse — jo për përmbajtjen, por për mënyrën se si i flet qytetarit me fjalë të mëdha dhe bosh, sikur ai apo ajo të mos ketë më as të drejtën të mendojë, të pyesë apo të dyshojë.

Share This Article