Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor “Levan-Pishparo”, ku një automjet përplasi rreth 40 krerë dele.
Shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë e makinës, e cila nuk mundi të ndalonte duke marrë para kafshët që po kalonin në rrugë.
Fermeri që kishte kafshët ka treguar se është përpjekur të ndalojë shoferin duke ia bërë me shenjë, por nuk ka mundur.
Ai shton se dëmi i shkaktuar nga aksidenti shkon rreth 10 milionë lekë. Siç ka treguar ai, deri më tani kanë ngordhur 40 krerë dele, por ende nuk është e sigurt, pasi ka të tjera të lënduara.
“Isha duke futur bagëtitë në portë, në atë moment vijnë dy makina, u dola para t’i ndaloja, nuk po ndalonin, por po parakalonin njëri-tjetri po vinin me shpejtësi. U shmanga nga rruga të mos më vrisnin mua, më kanë vrarë 40 bagëti. Unë kam rreth 200 e ca krerë. Kanë ngordhur 40 krerë. Se sa do jetë bilanci, nesër në mëngjes ta shohim. Ata ikën, makinat janë këtu. Se di çfarë ka bërë policia. Dëmi shkon rreth 10 milion lekë”, tha ai.