Policia në Durrës ka arrestuar një 47-vjeçar i cili përndiqte prej disa muajsh një 29-vjeçare, duke i shkaktuar ankth e frikë, si dhe mbante armë zjarri pistoletë pa leje.
Në kuadër të operacionit të koduar Hija u vu në pranga shtetasi Kujtim Gashi, 47 vjeç, banues në fshatin Shënavlash.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me municion luftarak.
Ky shtetas ka përndjekur një 29-vjeçare, për disa muaj, duke i shkaktuar asaj ankth dhe frikë.
29-vjeçarja ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.