Kreu i SPAK Altin Dumani, ka raportuar këtë të enjte në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Mes paraqitjes së bilanceve të punës së kësaj strukture, ai tregoi dhe problematikat.

Që nga mungesa e hetuesve e deri te numri i pakët i referimeve nga institucioneve publike në Prokurorinë e Posaçme, Dumani kërkoi që të ndërmerren veprime konkrete për të përmirësuar secilën nga pikat.

“Vazhdon të ngelet problematikë ngarkesa e shtuar, sidomos ngarkesë që shtohet duke marrë parasysh se drejtuesit të SPAK i bie barra të përfaqësojë komisionerin publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelit. Është një detyrë e re, ka 30 ankimime të komisionerëve publik që duhet të ndiqen nga drejtuesi i SPAK. Parashikohet që ai duhet të ndjekë 150 seanca gjyqësore, në periudhën 2025-2026. Është problematikë që e adresoj pranë KLP pasi parashikon rritje të volumit të punës, në një kohë që numri i burimeve njerëzore është i njëjtë.

Theksoi mungesën e referimeve nga institucionet publike. “Ka pasur rënie me 40% në 2023, përjashtuar Policinë e Shtetit që ka pasur rolin e saj në referimin e veprave penale të ndryshme. Nuk referojnë në Prokurorinë e Posaçme vepra me natyrë korruptive. SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo veprave të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë funksion shtetëror. Duhet forcuar bashkëpunimi. Ne si strukturë, BKH apo Prokuroria jemi shumë të hapur me çdo institucion” tha Altin Dumani.