Një memorial kushtuar në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje ndaj burrave që guxuan të parët në Shqipëri, të kundërshtonin rregjimin komunist në fillimet e tij. Në fshatin Zhapokikë është organizuar ceremonia përkujtimore kushtuar 75-vjetorit të kryengritjes së Zhapokikës “Nderi i Kombit”.
Si pjesë e ceremonisë ka qenë inagurimi i memorialit të ndërtuar nga Bashkia Memaliaj fill pas fitimit të kësaj bashkie nga koalicioni opozitar. Ky memorial është ndërtuar këto ditë në kuadër të vitit jubilar të kryengritjes antikomuniste në jug të vendit në shenjë nderimi dhe mirënjohje ndaj gjithë burrave që guxuan të kundërshtonin rregjimin e Enver Hoxhës. Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule nga deputeti i zonës Tritan Shehu, kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësuesi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Gjergj Marku, kryetar i Shoqatës Antikomuniste e ish-të Përndjekurve Politikë Malo Sadiku, Simon Miraka (ish i përndjekur politik), familjarë dhe të afërm të kryengritësve të Zhapokikës.
Trashëgimtarë të kryengritësve përkujtojnë nga të parët e tyre ngjarjen e lavdishme që tronditi në 2 tetor të 1948 rregjimin komunist.
Deputeti i zonës Tritan Shehu ka çmuar ngritjen e këtij memoriali si memorie e paçmuar ndaj vlerave të kësaj ngjarjeje të lavdishme.
Lëvizja e armatosur e Zhapokikës, u organizua në shtator-tetor të vitit 1948 si kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës, ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte ndër lëvizjet e para të forta antikomuniste në jug të vendit, e mirëorganizuar me ideale të forta, betim para flamurit dhe vendosmëri kundër pushtetit komunist. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, ish partizan. Burrat që morën armët dhe i’u bashkuan atij, ishin të moshës mesatare 40 vjeç të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë.
Frymëzimin nuk e kishin nga elementë të veçantë, por të gjithë anëtarët e çetës rreth 25 persona ishin bujq, me arsim të ulët, e madje të pa arsimuar fare. Dolën kundër sistemit komunist, kur e kuptuan se do u tjetërsohej prona, do u nëpërkëmbnin zakonet dhe do u godisnin besimin. Në vjeshtën e vitit 1948, nisi organizimi dhe sulmi ndaj pushtetit komunist.