DVP Gjirokastër

Në vijim të operacionit “Road Guard 17”, kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, si organizator i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave, të cilët janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë punës intensive dhe profesionale, si dhe duke u mbështetur në inteligjencën informative, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin Fatjon Mesi, 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 20.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë operacionit policor “Road Guard 17”, i zhvilluar në datën 01.05.2022, u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, të cilët u kapën në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, duke transportuar me automjetin tip furgon, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. M. ka qenë organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.