Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, gjirokastriti Arlind Gjokutaj, është arrestuar ditën e djeshme për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 1.2 milionë euro dëm.
Së bashku me të, u vunë në pranga edhe dy drejtorë të kësaj ministrie, përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik Fatmir Hoxhaj. Në lidhje me arrestimin e Gjokutajt, ka reaguar Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave në qeverinë “Rama 2”, duke i dalë në mbrojtje këtij të fundit.
Ajo shkruan në një postim në fb, se Arlind Gjokutaj nuk ka përfituar, por thjesht ka bërë një gabim njerëzor nga ngarkesa e madhe në punë, ndërsa shton se është djalë i pastër dhe i shkëlqyer.
Ja postimi i plotë i Beqirajt:
Si e njoh unë Arlind Gjokutajn?
Arlind Gjokutaj nuk është një djalë dosido.
Unë e njoh mirë. Kam punuar me të edhe ia njoh cilësitë, qoftë ato profesionale, por edhe njerëzore, edhe morale .
Dhe një gjë mund ta them me bindje; kush nuk është perzierë as me gjysmë centi apo qoftë edhe me një qindarkë duke qenë drejtor dogane (vendi i punës ku drejtorët e drejtoreshat hyjnë të veshur si Luli i Vocërr e dalin si sheikët e Dubait !), kush le me dëshirë “fatin e madh” për të qenë drejtor dogane (kur shumë të tjerë ç’nuk do të bënin për të mos e lënë atë zyrë!), e ka kaluar testin më të fortë e më të vështirë të integritetit.
Kush ka qenë Drejtor i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave edhe jeton në një shtëpi me kredi, kur veshja e një dite të zakonshme shkolle e vajzës minorene e të ngjashmit të tij kushtonte sa paga e 2 muajve e ka kaluar testin e integritetit.
Arlindi është djalë me integritet si pakkush në administratë. Ai është një djalë i shkolluar, është qytetar për të cilin unë kurrë nuk do ta besoja se ka pranuar t’i vendosë çmim firmës apo veprimeve të tij, sepse nuk është udhëhequr kurrë nga normat e tregut, por nga normat morale.
Por, edhe Arlindi si gjithë të vdekshmit e tjerë mund të gabojë. Në morinë e letrave që firmos çdo ditë personi i parë autorizues i gjithë shtetit shqiptar, (siç është sekretari i përgjithshëm i ministrisê së financave), gabimi është për këdo i mundshëm.
Gabimi që mund të ketë bërë (nëse ka një të tillë), ka kostot e veta, por Arlindi padyshim do të mbetet një djalë i mirë, një qytetar i shkëlqyer, i cili pavarësisht çdo gjëje, do të gëzojë gjithmonë respektin e njerëzve që e njohin dhe kanë punuar me të.
Unë padyshim do të zgjidhja gjithmonë të punoja me të.
Uroj të ketë edhe mirëkuptimin e gjindjes tonë të lodhur nga korrupsioni, ku bashkë me të thatin, digjet edhe i njomi.
Ps. Sado e cuditshme te duket, ka akoma ne kete vend , djem e vajza te ndershem , Arlindi padyshim eshte nje nga ata, mos i gjuani me gure.Gabimi eshte njerezor !