Aldiron Shehu, i riu me origjinë nga Gjirokastra, është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Ai u arrestua në Elbasan tre vite më parë, kur theu 7 postblloqe policie, nga Devolli ku ishte nisur deri në Elbasan ku u ndalua.
Shehu u dënua me 6 vite burg për ngjarjen e ndodhur në 4 shkurt të vitit 2020, për veprën penale “Kanosje”. Mirëpo, çështja ka shkuar në Apelin e Durrësit që ka në juridiksion dhe Elbasanin, ku është bërë rikualifikim i veprës penale në “Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë”.
Prokurori Ritvan Sukaj pati kërkuar atë kohë në pretencë dënimin me 30 vite burg për Shehun, por Gjykata e Elbasanit e shpalli Aldiron Shehun fajtor për akuzën e “Kanosjes” dhe e dënoi me 6 vite burg. Pas rekursit të bërë nga Prokuroria, 30 vjeçari është dënuar sot me 15 vite burg.
Policia ju vu në ndjekje Aldiron Shehut që nga Devolli, ngriti në këmbë Drejtorinë e Korçës, Komisariatet e Pogradecit, Prrenjasit e Librazhdit, si dhe Drejtorinë e Elbasanit. Kanë qenë efektivët e kësaj të fundit që mundën ta ndalojnë të riun nga Gjirokastra.
Disa metra pasi kishte çarë postbllokun e Policisë Rrugore në Elbasan dhe kishte goditur një efektiv, automjeti që ai drejtonte është përplasur me dy makina të tjera dhe për pasojë është përmbysur. Aldiron Shehu arriti të thyente shtatë postblloqe dhe në atë kohë kishte dyshime se ai kishte “sende të jashtëligjshme” në makinë dhe i hodhi gjatë rrugës.