Personi i shpallur në kerkim si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa, është Andrew Bode, 44 vjec i lindur në Berat dhe banues në Tiranë.

Televizioni Klan mëson se ai mban edhe një emër tjetër, por ky është identiteti i shënuar në Gjendjen Civile.

Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit ilegalisht, pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.

Burime të grupit hetimor treguan për Tv Klan edhe mënyrën se si ai u identifikua së bashku me Albano Velon, i cili është arrestuar.

Ai u filmua nga kamerat e sigurisë së një lavazhi afër vendngjarjes, teksa shfaqet me një makinë tip Audi, të cilën Albano Velo e dërgoi për ta larë.

Kjo makinë me shofer 30-vjeçarin është përdorur për ruajtjen e lëvizjeve të biznesmenit si dhe për të marrë ekzekutorin, Andrew Bode pas krimit.

Andrew Bode ka mbërritur në vendin e ngjarjes me një Smart të marrë me qira.

Pasi ka qëlluar mbi Edmond Papën, është larguar me Audin e drejtuar nga Velo. Kanë udhëtuar së bashku në autostradën Tiranë – Durrës, janë kthyer e kanë ndaluar në një pikë karburanti dhe Bode ka zbritur në zonën e Astirit. Më pas Bode ka marrë një taksi dhe është drejtuar drejt banesës së tij në zonën e Kodrës së Diellit.

Të nesërmen, më 17 Nëntor, ai ka marrë nga vendi i krimit Smartin që kishte lënë të parkuar.

Policia dyshon se krimi mund të ketë lidhje me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në atentatin me tritol të Qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.

Bode dhe Velo rezultojnë të kenë njohje me Sadikajn, por nuk është ende e qartë lidhja apo konflikti që mund të kenë pasur Sadikaj dhe Papa me njëri – tjetrin.

Policia nuk përjashton edhe mundësinë që ata të jenë paguar për vrasjen e biznesmenit.