Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar në një reagim në fb, se të premten ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, por ka mohuar pretendimet e publikuara lidhur me përmbajtjen e bisedës mes tyre.
Ndërkohë, avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se Gogu i ka përcjellë porositë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.
Ja reagimi i plotë i Gogut:
Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.




