VIDEO/ Sherri i biznesmenëve në Radhimë, reagon Rama: Tokën e tyre në Palasë do ta shpronësojme dhe do ta kthejmë në aset publik

Jugulajm.net
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një video-mesazh pasditen e kësaj të premte, duke reaguar për herë të parë për konfliktin e dhunshëm që ndodhi dje në Radhimë mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Duke ju drejtuar qytetarëve, Edi Rama theksoi se dëmi që konflikti i tyre, mes turistëve dhe pushuesve të Radhimës, është në dëm të vizionit për Shqipërinë turistike.

Kryeministri paralajmëroi se qeveria ka vendosur që parcela në Palasë për të cilën dy biznesmenët janë në konflikt, do të shpronësohet nga shteti dhe atje do të mbillen ullinj, për ta shndërruar në një hapësirë çlodhëse publike.

“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë, ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit.

Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietetet autoktone shqiptare, dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri”, shprehet ndër të tjera kryeministri Edi Rama.

Qejfmbetur për përplasjen e biznesmenëve dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike, kryeministri tha se ata nuk mund të cënojnë atë që është një mision i madh kombëtar: Shqipërinë turistike.

“Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj duke pështirosur tërë Shqipërinë, do kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqe, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, vijoi më tej Rama.

Share This Article