Demokracia është dhe fillon aty ku qytetari zgjedh …

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Për ta kuptuar, për ta bërë dhe për ta zbatuar sa më mirë reformën teritoriale , le të zbatojnë parimet e nevojshme , të duhura dhe të domosdoshme… Le të votojë fshati për njeriun që dëshiron të ketë në krye të tij. Le të votojë komuna për përfaqësuesin që beson. Le të votojë qyteti për qytetarin që mendon se mund ta drejtojë më mirë.

Pastaj bëjeni ju si, shtet dhe qeveri, administrimin që mendoni se është më i përshtatshëm. Por mos ia diktoni qytetarit dhe komunitetit se kë duhet të ketë në krye. Se ke duan ata për qytetar të parë. Kemi më shumë se tridhjetë vjet që flasim për demokraci, reforma, decentralizim dhe pushtet vendor. Pushteti në demokraci të jepet me votë, nëse jepet, apo merret ndryshe vëriani ju emrin se çfarë është…. Por shumë shpesh deri më sot kemi bërë të këtë dytën, jo të duhurën: Kemi ndërtuar administratën nga lart dhe i kemi kërkuar qytetarit të përshtatet me të. Të përshtatet me pushtetin që i dhurojnë me forcë partitë. Unë them: ta ndryshojmë këtë praktikë se pretendojmë se jemi vend demokratik. Së pari qytetari. Së pari vota. Së pari vullneti i komunitetit. Pastaj administrimi. Nëse një fshat ka nevojë për një përfaqësues të vetin, le ta zgjedhë. Nëse disa fshatra duan të bashkëpunojnë, le ta vendosin vetë.

Nëse një qytet dëshiron një mënyrë tjetër përfaqësimi, dëgjojeni qytetin. Mos i tregoni qytetarit çfarë është e mirë për të, pa e pyetur më parë se çfarë kërkon ai. Dhe nëse flasim vërtet për reformë territoriale, atëherë të mos kemi frikë as nga e shkuara dhe as nga e ardhmja. Edhe në kohën e Enverit, mos u trëmbni se nuk ngjallet, pavarësisht sistemit politik që ne e kundërshtojmë dhe nuk kemi pse ta marrim si model demokracie; ekzistonte një parim praktik që ishte shumë herë më demokratike sesa ky sot: fshati, komunitetet kishin strukturat e tyre lokale dhe zgjidhnin përfaqësuesit e tyre. Le të marrim atë që i përket qytetarit, jo sistemin që i përkiste regjimit.

Atëhere deputeri vitohej dhe jepte llogari në popull. Edhe gjyqtarët votoheshin dhe jepnin lligari në popull çdo katërvjet. Sot kemi demokraci, por populli nuk zgjedh as gjë dhe nuk i kërkon llogari as kërkujat. Atëherë le ta bëjmë demokracinë të dukshme aty ku qytetari jeton. Mos na thoni më se çfarë duhet të duan qytetet. Mos na thoni se çfarë duhet të duan fshatrat.

Mos na thoni se çfarë duhet të duan komunitetet. Pyetini Tridhjetë e ca vjet janë shumë për t’i kërkuar qytetarit të presë një reformë që ende nuk ka gjetur formën e saj përfundimtare. Nuk kërkoj të kthehemi pas. Kërkojmë të shkojmë përpara me më shumë demokraci. Sepse reforma territoriale nuk duhet të jetë një hartë që vizatohet në zyrat e partive, pushtetit dhe pastaj u dorëzohet qytetarëve. Duhet të jetë një vendim që nis nga qytetari dhe përfundon te shteti.

Lëreni qytetarin të zgjedhë kë do. Pastaj bëni ju administrimin. Por mos e zëvendësoni votën e qytetarit me vendimin tuaj.
Sepse nëse kjo nuk quhet demokraci, nëse dëshirojmë dhe duamë një vend demokratik, atëherë le të fillojmë ta praktikojmë pikërisht aty ku demokracia ka më shumë kuptim:
te dera e qytetarit. Ajo nuk ka kuptim dhe vlerë te dera e zyrtarit, qoftë ku President, apo Mbret.

Share This Article