Rritja e transparencës, forcimi i integritetit dhe modernizimi i sistemit të inspektimit ishin në fokus të një trajnimi të zhvilluar në Gjirokastër nga Inspektorati i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e inspektorateve rajonale të qarkut. Gjatë aktivitetit, kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, bëri të ditur se brenda 8 deri në 9 muajve të ardhshëm të gjithë inspektorët në vend do të pajisen me kamera trupi inteligjente, si pjesë e reformës për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.
Inspektimet në terren pritet të marrin një dimension të ri përmes përdorimit të teknologjisë. Brenda vitit të ardhshëm, të gjithë inspektorët në vend do të pajisen me kamera trupi inteligjente. Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, tha në Gjirokastër se kjo është pjesë e reformës për modernizimin e sistemit të inspektimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e rasteve të abuzimit gjatë kontrolleve.
Në kuadër të kësaj reforme, vëmendje i është kushtuar edhe platformës sigurt.gov.al, ku qytetarët mund të raportojnë raste abuzimi, shkeljesh apo problematikash që hasin gjatë marrjes së shërbimeve.
Kryeinspektori Sula bëri të ditur se siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit do të mbeten në fokus të kontrolleve gjatë sezonit veror në Qarkun e Gjirokastrës. Ai tha se do të intensifikohen inspektimet në subjektet ushqimore, për të garantuar produkte të sigurta dhe cilësore për qytetarët dhe turistët, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe respektimit të standardeve mjedisore.




