Policia e Sarandës pas kontrolleve në lagjen “Baba Rexhepi”, zonë kjo ku u drejtuan autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, kanë gjetur një motor të braktisur.
Ai nuk ka pasur shenja dëmtimi ose djegieje, ç’ka mund t’i shërbejë grupit hetimor të mbledhë material gjenetik për të identifikuar autorët. Fakti që motori është gjetur buzë detit, e ka bërë grupin hetimor të dyshojë se autorët janë larguar me mjet lundrues ose të jenë fshehur në banesat e zonës periferike.
Atentati ndaj Thimjo Rubatit, sipas dyshimeve, ka qenë i planifikuar dhe organizatori ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë kur djali i tij u konfliktua me një oficer policie, me qëllim ngatërresën e pistës së hetimit.
Madje ka informacione se autorët e dinin që policia kishte sekuestruar një natë më parë DVR e kamerave të zonës duke e shfrytëzuar këtë fakt për të kryer ngjarjen në një zonë të pambuluar me kamera.




