Një efektiv policie u dhunua fizikisht mëngjesin e sotëm në Tropojë, teksa ndodhej në krye të detyrës.
Ngjarja ndodhi në fshatin Koçanaj dhe autor i dyshuar është një 45-vjeçar, i cili sipas policisë vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Gjithçka ndodhi kur policia shkoi në shtëpinë e 45-vjeçarit pasi u njoftua se ai po shkatërronte orenditë.
Në momentin që ndërhynë për ta shoqëruar, ai goditi me grusht në fytyrë punonjësin e policisë. Ky i fundit u dërgua në spitalin e Kukësit për ndihmë mjekësore.
Edhe autori i dyshuar u dërgua në spital, por në rastin e tij bëhet fjalë për atë psikiatrik.
Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Koçanaj, shtetasi E. V., 45 vjeç, me sëmundje mendore, po shkatërronte orenditë në banesën e tij. Shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë në adresën e dhënë, për të neutralizuar shtetasin E. V. Gjatë rrugës, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin E. V. duke ecur me këmbë dhe kanë ndaluar për ta shoqëruar. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi E. V. ka goditur me grusht, në fytyrë, punonjësin e Policisë A. M., me detyrë SPZ. Punonjësi i Policisë po merr mjekim në spitalin e Kukësit, ndërsa shtetasi E. V., pas mjekimit në spitalin e Tropojës, është dërguar në Spitalin Psikiatrik Shkodër.