Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës, pasi akuzohen se i kanë vënë zjarrin një automjeti të parkuar ditën e djeshme (12 Gusht).
Agresorët kanë spërkatur me alkool automjetin tip “Benz”, para se t’i vinin flakën me çakmak dhe t’i shkaktonin dëme materiale. Burime zyrtare bënë me dije se akti kriminal ndodhi teksa të ndaluarit “ishin në gjendje të dehur”.
Policia sqaron se piromania ndodhi në lagjen nr. 8 dhe të prangosurit janë shtetasit me inicialet S. Ll., 43 vjeç dhe J. K., 38 vjeç, të dy banues në Korçë. Hetimet nisën pas denoncimit të pronarit 56-vjeçar të mjetit, që vuri re vatrën e zjarrit dhe dëmet, kurse motivi mbetet ende i panjohur, ashtu sikurse edhe lloji i alkoolit të përdorur.
Hetimet e kryera, verifikimi i kamerave dhe gjurmëve, çuan në zbulimin e dy të dyshuarve. Si pasojë e flakëve, makina është djegur pjesërisht.