Tullumbacet me azot janë kthyer në një shqetësim për të rinjtë shqiptarë. Policia e Fierit ka njoftuar se një 15-vjeçar ka shkuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e konsumimit të një tullumbaci të tillë.
Për këtë ngjarje policia thotë se ka vënë në pranga 3 persona që ia kanë shitur të miturit tullumbacin. Sipas autoriteteve, në kuadër edhe të vijimit të operacionit “Tempulli” janë sekuestruar 50 litra azot, një sasi lënde narkotike kanabis dhe 250 tullumbace që shërbenin për t’i mbushur me azot.
Po ashtu njoftohet se këta persona e kryenin këtë veprimtari të jashtëligjshme në një lokal me kompjutera për fëmijë dhe adoleshentë. Aty ata kishin krijuar një vend të përshtatshëm për përdorimin e drogës dhe shitjen e tyre.
Të arrestuarit janë G. X., 60 vjeç dhe R. X., 27 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. L., 24 vjeç.
“Shtetasi R. X. kishte përshtatur katin e parë të lokalit për përdorim droge, dhe në bashkëpunim me shtetasit G. X dhe E. L., iu shitnin adoleshentëve (nxënësve të shkollave 9-vjeçare), lëndë të rrezikshme për shëndetin (tullumbace me gaz Azot), dhe si pasojë e konsumimit të tyre, një 15-vjeçar ka shkuar në spitalin rajonal të Fierit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ky ambient i cili u bllokua nga Policia, reklamohej nga të arrestuarit, si vend ku fëmijët/adoleshentët luanin lojëra me kompjuterë”, njoftoi policia.
Sipas policisë, prej disa muajsh këta persona u shisnin adoleshentëve tullumbace me azot kundrejt vlerës 350 Lekë.