Rreth 200 punonjës policie me gradat “nënkomisar”, “komisar” dhe “kryekomisar”, kanë shfaqur interes në garën për 48 komisariatet në të gjithë vendit, e cila u mbyll të premten (8 nentor) me fazën e parë të aplikimeve.
Në mesin e tyre janë 10 janë gra, të cilat synojnë emërim, në një procedurë gare për shef komisariati që bëhet për herë të parë, pas ndryshimeve ligjore në ligjin për Policinë e Shtetit.
Risi në këtë garë është edhe komisioni që do të vlerësojë kandidaturat, i cili për herë të parë, po ashtu përbëhet nga 3 gra.
Brenda afateve ligjore secila kandidaturë do të kalojë në filtër të veçantë, për t’u përmbyllur me intervistimet dhe përzgjedhjen përfundimtare, për të marrë emërim.
Mësohet se pjesë e garës janë bërë të gjithë shefat aktual të komisariateve, përfshirë shefa krimesh apo rendit dhe sigurisë, e më gjerë.
Ndërkohë, në Policinë e Shtetit, të shtunën u përmbyllën intervistimet për 42 kandidatët në garën për drejtues qarku, ndërsa maksimumi deri në fundin e javës së ardhshme përmbyllet procesi, duke bërë zyrtarisht emërimin e 12 drejtuesve të rinj, të cilët po ashtu vijnë pas një procesi gare që u zhvillua për herë të parë. Pjesë e garës u bënë edhe drejtues të rinj, të cilët së fundmi morën gradën, duke synuar kështu dhënien e frymëmarrjes me figura të reja të drejtorive të qarqeve. Në bazë të analizës që do të bëj komisioni përzgjedhës për çdo kandidaturë fituese, do bëhet emërimi i përveçëm në qarqe të caktuara.
Me interes priten emërimet në qarqe të konsideruara “të vështira”, nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora, Fieri, Lezha dhe Elbasani, ku niveli i kriminalitetit është në nivelet më të larta.