Personi që shihni në foton e mësipërme është Azdren Muharemi alias Jasona Mërkuri, 54 vjeçari shqiptar i cili u arrestua paraditen e sotme në Greqi, teksa tentoi të kalonte 210 kg kokainë nga Port ii Pireut në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë.

Jasona Mërkuri, sipas mediave greke ishte “koka e grupit” dhe kujdesej për gjetjen e sasive të trafikuara të drogës, financimin e blerjes dhe transportit dhe organizimin e dërgesës nga Panamaja drejt vendeve evropiane.

Mësohet se ai kishte tre pasaporta dhe njihej me tre emra Azdren Muharremi Andrea Merkuri dhe Jasona Merkuri. Në pranga kanë rënë edhe Marsel Stafaj, 36-vjeç nga Shqipëria, Ioannis Biglakis 64 vjeç dhe Alexandors Merkouris me origjinë greke.

Si funksiononte grupi i tyre?

Bëhet ne dije se shqiptari Jasona Mërkuri alias Andrea Mërkuri alias Azdren Muharremi, drejtues i organizatës kriminale, ishte i ngarkuar me gjetjen e sasive të drogës, financimin e blerjes dhe transportit, organizimin e dërgesës së drogës nga Panamaja në vendet e Evropës, fshehjen e tyre në konteinerë të destinuar për në Greqi dhe lëvizjen e tyre të mëtejshme.

Nga ana tjetër, Marsel Stafaj, si bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i Mërkurit, ishte ngarkuar me gjetjen dhe rekrutimin e bashkëpunëtorëve në Greqi për importimin dhe marrjen e drogës dhe trafikimin e mëtejshëm të saj ndërsa Ioannis Biglakis ishte ngarkuar për komunikimin me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale që ndodhen jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimin e blerjes së sasive që do të trafikohen.

Jasona Mërkuri u kap sot në Pire me 180 pako me kokainë. Në kontrollet e banesave dhe automjeteve të të arrestuarve të mësipërm janë gjetur dhe sekuestrua 1 pistoletë e kalibrit 9 mm dhe një krehër me 15 fishekë të kalibrit 9 mm, një sasi e vogël kannabis, 25 fishekë të kalibrave të ndryshëm etj. Janë sekuestruar 131 mijë e 675 euro dhe 30 paund britanikë, 2 motorrë, 17 celularë, 1 USB, 3 GPS shënime të ndryshme dore.