Islam Dudaev i ka siguruar Shqipërisë medaljen e artë në Kampionatin Europian të Mundjes që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë.

Mundësi i natyralizuar si shqiptar, ka fituar sot në finalen e stilit të lirë deri në 65 kg përballë rusit Gadzhimurad Rashidov.

Ky i fundit, i ka bërë shumë rivalitet mundësit çeçen që garon për Shqipërinë, por në fund, Dudaev ka siguruar një triumf historik me rezultatin 2-1, që i ka dhënë atij dhe Shqipërisë medaljen e artë në Europianin e Mundjes, duke e konfirmuar edhe këtë të fundit si një nga sportistët më të mirë të kësaj disipline.

Shqipëria ka mundësinë nesër që të përsëritë këtë sukses me një tjetër medalje, kur në finale do të jetë Zelimkhan Abakarov.