Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të diel në Gjirin e Lalzit, ku një 8-vjeçare është përplasur nga një automjet që drejtohej nga një 18-vjeçar.

Si pasojë e përplasjes e mitura nga Sllovakia ka ndërruar jetë në spital. E mitura u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Shtetasja minorene me iniciale S.S ndodhej në Shqipëri për pushime me familjen e saj.

Sipas policisë, makina drejtohej nga 18-vjeçari G.GJ., i cili është shoqëruar në Policinë e Durrësit për t’u pyetur në lidhje me rrethanat.

“Rreth orës 20:00, në segmentin rrugor Maminas-Gjiri i Lalësit, një automjet me drejtues shtetasin G. Gj., 18 vjeç, ka përplasur një shtetase minorene S. S., 8 vjeçe, nga Sllovakia. Si pasojë e përplasjes  8 vjeçarja ka humbur jëtën në spital.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën  drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njofton policia.