VIDEO/Kisha e Shënjt Ilias në fshatin Lekël rigjenerohet pas djegies një vit më parë

Jugulajm.net
2 Min Read

Një vit më parë flakët e zjarrit mjaft të pamëshirshme dhge të favorizuara nga era, vurën nën vete kishën e Shënjt Ilias në fshatin Lekël Bashkia Tepelenë. Flakët përfshinë kulmin dhe tavanin e kishës ndërkohë që ngeli pothuajse e paprekur pjesa tjetër dhe kjo falë ndërhyrjes në kohë të banorëve dhe zjarrëfikësve. Sot panorama është krejt ndryshe.

Janë dashur vetëm 4 milionë lekë që ky objekt kulti, të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Ministria e Kulturës, pas insistimit të vazhdueshëm të banorëve dhe DRKK Gjirokastër, çeli fondin që rehabiliton këtë kishë. Punimet ende vijojnë dhe makinat e rënda vijnë herëpashere për të ndërhyrë në pjesë të tjera të kishës duke e forcuar edhe më konstruktin e saj nga jashtë dhe brenda. Ata pak banorë që kanë ngelur në këtë fshat malor, falenderojnë ministrinë e linjës dhe organet e tjera shtetërore, për kujdesin e treguar në rikthimin normal të këtij objekti.

Kisha e Shënjt Ilias, përfaqëson një dëshmi të rrallë të arkitekturës dhe jetës shpirtërore te komunitetit ortodoks lokal dhe kjo ka nxitur organet shtetërore që të investojnë në rigjenerimin e saj.

E ndërtuar në fund të shekullit XVIII-fillim shekulli XIX nga Thanas Vaja ish-kryespiuni i Ali Pashë Tepelenës, kisha e Shënjt Ilias në Lekël, i mbijetoi stuhive të natyrës, trazirave politike, madje edhe zjarreve që shpesh kanë përpirë malësitë përreth, përpara se të përpihej nga flakët 12 gushtin e vitit të kaluar.

 

Share This Article