Rama “kthen pllakën” për protestat: Qytetarët kanë halle, kemi probleme me administratën

Jugulajm.net
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama, në episodin e podcast-it të tij “Flasim”, komentoi sërish protestat qytetare, duke pranuar se një pjesë e tyre kanë shqetësime.

Duke iu referuar një mesazhi të një qytetari, Rama tha se shqetësimet e ngritura janë legjitime dhe se askush nuk duhet të detyrohet t’i drejtohet kryeministrit për probleme që, sipas tij, duhet të zgjidhen nga institucionet përkatëse.

Kryeministri theksoi se në disa raste administrata nuk arrin të përmbushë detyrat e saj, duke krijuar vonesa dhe duke e zhvendosur barrën e zgjidhjes te qytetarët dhe më pas te niveli politik.

“Askush nuk duhet detyruar t’i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t’i adresuar këto probleme s’e kanë bërë punën e tyre. Por, nga ana tjetër, unë personalisht çdo mesazh që marr e ndjek; siç e thua edhe në mesazhin tënd, më keni shkruar një vit më parë dhe unë e kam çuar te autoriteti kompetent”, iu drejtua Rama – qytetarit.

“Tani, unë nuk dua fare të justifikohem. Këtë mesazh e nxora për të ndarë të vërtetën time, thjesht që unë kam të njëjtin shqetësim absolutisht dhe e kam çuar mesazhin para një viti te Bashkia e Tiranës”, tha Rama.

“Tani, ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që “funksionon me defibrilator, me oksigjen”, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se një hall i drejtë nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë protestën.

Share This Article