Nga Ilir Kulla
ARIAN CANI MIKU DHE SHOKU IM PREJ 27 VITESH
Greku që vdes për Shqipërinë dhe shqiptari që vdes për Greqinë.
S’do ta bëja këtë postim po të mos shihja njërin nga këta neo-deputetët e rinj që nuk e di ku i bie selia e PS-së të dilte para mediave nga SPAK se kishte denoncuar Cani-n se përdorte ZONË E LIRË në favor të Greqisë dhe kundër Shqipërisë se kishte mbrojtur mikun e tij Fredi Belerin.
Emisioni ndodhet në YouTube dhe mund të shikohet.
Nga ajo kohë kështu si “rastësisht” të gjithë ata që ishin përfshirë në këtë çështjen Beleri, sikur i zuri ndonjë “magji” e bërë nga Papu-ja përfunduan nëpër burgje, komandanti im Gjergj (Jorgo) Goro kundërkandidati, Rreli prokurori i Vlorës që e arrestoi dhe shefi i Operacionales Oltioni!
Gjëra që ndodhin, po lë të kthehemi te Arian Cani.
Kështu me radhë pastaj të gjithë të tjerët e mund të pyesë më shumë Nikollë Lesin, Mero Bazen, Martin Lekën etj., etj.
E mirëkuptoj deputetin, është i ri dhe s’i di ca gjëra, do t’i mësojë, siç i mësova dhe unë në moshë të tij kur kandidova për PS për deputet plot 21 vjet më parë.
Solidariteti aty është unik në llojin e vet, të gjithë janë vënë në radhë e mezi presin të thyejë kokën ai i madhi (atëherë ishte Nano) që të bëhen kryeministra, ministra e drejtorë me radhë.
Nuk e dinë të gjorët që nëse bie ajo ngrehinë, shumica do shkojnë burgjeve e gjykatave përveç atij të madhit, dhe pastaj do thonë na shiti ai i madhi, të cilit do t’i përfundojë si Fatos Nanos që deputeti mitik Cim Hysa, fqinj i Fatosit, e quante dhe kolegu Nano.
Dhe nën këtë dëshirën e madhe për të qenë në korsinë preferenciale të ministerllëkut deputeti shkon e përmend litarin në shtëpinë e të varurit të SPAK që vetëm për çështjen Beleri ka bërë një sektor të veçantë aty te Burgu i Durrësit, pa lëre ato të tjerat që i kanë nxjerrë njerëzit në Bulevard në mes të vapës.
Aty në atë rrugë Bashkia, ajo që ka ngelur nga Lali, duhet të vërë një ndalim qarkullimi për gjithë lagjen, pasi aty mbrapa ndodhen dhe BalkanWeb, Panorama dhe News24, duket që janë bërë e gjitha një lagje puçistash.
E dyta deputeti doli dhe tha Cani do të dënohet se përdor frekuencat shtetërore, po ç’thua mor njeri ç’thua, edhe Canin do ta bësh bloger e të fillojë të përdorë algoritmin.
Po pse kohë për të prodhuar blogerë të tjerë është kjo… s’është për t’u bërë ministër kjo gjë që bën, por për të prishur karrierën.
Jo për gjë po ky Cani greku që vdes për Shqipërinë dhe shqiptari që vdes për Greqinë, ka dhënë prova që nga Klani i Natës që ta nxin jetën se si ndalet goja, dhe bëhet eurodeputet grek dhe aty jashtë derës së Parlamentit Europian na e bën Zonën e Lirë live si gazetar shqiptar dhe s’ka algoritëm ta ndalojë.
Nejse përtej shakasë unë që e njoh që nga 1998 ku Gazeta Shqiptare ishte te Rruga e Dibrës poshtë spitaleve, Arian Cani vdes ta sfidosh.
E kam parë ta mallkonin demokratët se qëndronte kundër “grushtit të shtetit” më 14 shtator si Kryeredaktor i Gazetës Shqiptare, e kam parë të nxirrte në faqe të parë Haklajt & Co si vrasës të Azem Hajdarit dhe pastaj e mallkonin socialistët, e kam parë përkrahësin numër 1 të UÇK-së si gazetë në Kosovë e Maqedoni me foton e parë në botë të Ali Ahmetit me uniformë në kryefaqe, dhe e kam parë të jetë i pari të botojë intervistë ekskluzive të Koshtunicës etj., etj.
Jo gjithnjë kemi shkuar mirë, jemi zënë pa fund, por po nuk u zure me Arianin atëherë nuk ke Canin.
E pastaj një ditë në 2003 vendosi të bëjë kolonën e jetës së tij, Zonën e Lirë, çerek shekulli për pak, kështu që jepi deputet mos e ndal gazin, se Cani gallatë do, se s’ka punë tjetër, ta merr dhe e bën emisionin dhe aty te dera e SPAK, por ç’e do dreqin se në këto kohë kjo gjë është të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit e të prish karrierën.
Suksese përpara me qetësi dhe terezi!




