jë tjetër dëshmi e administruar nga AMP hedh dritë mbi momentet dramatike të operacionit policor në zonën e Lozhanit, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, nga personi në kërkim Violant Braçellari dhe u plagos rëndë efektivi tjetër, Edison Adri.
Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, oficeri Erikson Alillari, me detyrë trup shërbimi në Forcat Operacionale “Shqiponja” pranë DVP Korçë prej rreth gjashtë vitesh, ka rrëfyer para hetuesve detaje nga aksioni.
Sipas dëshmisë së tij, mbrëmjen e 3 qershorit 2026 është telefonuar nga Edison Adri, i cili e ka njoftuar se duhej të paraqitej në Drejtori në orën 04:00 të mëngjesit. Pas marrjes së armatimit dhe pajisjeve, grupi është nisur drejt Komisariatit të Policisë Maliq, ku është zhvilluar instruktazhi për operacionin.
Alillari ka deklaruar se gjatë instruktazhit, të zhvilluar në prani të drejtuesve të policisë vendore, efektivëve u është bërë me dije se objektivi i operacionit ishte Violant Braçellari, një person në kërkim me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohej se ishte i armatosur.
Pas mbërritjes në zonën e stallave në malin e Bodes, forcat policore janë ndarë në grupe për të rrethuar objektivin. Alillari thotë se së bashku me kolegun Enea Ibi po lëviznin për t’u bashkuar me grupin tjetër kur dëgjuan thirrjet policore drejtuar të kërkuarit.
“Në një moment dëgjova të thërrisnin ‘Ndal, policia, je i rrethuar’. Teksa po afroheshim me grupin tjetër, në drejtimin tonë u qëllua me armë zjarri”, ka deklaruar ai.
Sipas dëshmisë, menjëherë pas të shtënave u plagos efektivi Edison Adri.
“Para meje ishte punonjësi i policisë Edison Adri, i cili u rrëzua në tokë direkt pas të shtënave”, ka rrëfyer Alillari.
Ai shton se të shtënat vazhduan nga një dritare në cep të stallës dhe se iu përgjigj me zjarr në drejtim të vendit nga ku po qëllohej. Ndërkohë, sipas tij, efektivi i plagosur kërkonte ndihmë, por situata mbetej ende e rrezikshme për shkak të shkëmbimit të zjarrit.
Në dëshminë e tij, Alillari tregon se më pas Violant Braçellari doli nga stalla me armë automatike në dorë duke qëlluar në drejtim të policisë, ndërsa efektivët iu kundërpërgjigjën me zjarr.
“Pas pak zjarri u ndërpre. E pashë personin të shtrirë dhe e dëgjova të thërriste ‘Dorëzohem, dorëzohem’. E mbajta në shënjestër derisa u afrua grupi tjetër dhe bëri neutralizimin e tij”, ka deklaruar ai.
Më pas, sipas dëshmisë, vëmendja e efektivëve u përqendrua te shpëtimi i kolegut të plagosur. Alillari tregon se së bashku me kolegët i dhanë ndihmën e parë Edison Adrit, duke i vendosur veshje mbi plagën në nofull për të ndalur gjakderdhjen.
Ai dhe kolegu Renato Seiti e transportuan më pas të plagosurin për rreth 500 metra deri te automjeti i shërbimit, me të cilin u nisën drejt spitalit. Gjatë rrugës u takuan me ambulancën dhe efektivi i plagosur u transferua për ndihmë të specializuar mjekësore.
Në përfundim të dëshmisë së tij, Alillari ka konfirmuar se si gjatë instruktazhit në Komisariatin e Maliqit, ashtu edhe pak para ndërhyrjes, efektivët ishin paralajmëruar se personi që kërkohej konsiderohej shumë i rrezikshëm dhe mund të ishte i armatosur, ndaj duhej të tregonin kujdes maksimal gjatë operacionit.




