Kanë marrë fund në mënyrë tragjike kërkimet për ish-ushtarakun e karrierës dhe ish-drejtuesin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites së të enjtes.
Lajmi i hidhur u konfirmua nga bashkëshortja e tij, e cila bëri me dije se 55-vjeçari është gjetur pa shenja jete, duke i dhënë fund ditëve të ankthit për familjarët dhe të afërmit.
Pas largimit nga banesa, familja kishte nisur menjëherë kërkimet dhe kishte kërkuar ndihmën e policisë dhe qytetarëve.
Sipas familjarëve, Kolmarku vuante nga një formë e veçantë e demencës, e cila i kishte shkaktuar probleme të theksuara me kujtesën dhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore kishte humbur kontaktet me familjen.
Familjarë, miq dhe kolegë kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta, duke e kujtuar si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe detyrës, që i shërbeu vendit për shumë vite.




